Tridhjetë e pesë vjet pas vrasjes së prindërve dhe një muaj pas publikimit të një filmi dokumentar për historinë e tyre në Netflix, vëllezërit Lyle dhe Erik Menendez mund të jenë përsëri të lirë. Prokurori i qarkut të Los Anxhelosit, George Gascon i kërkoi gjykatësit të anulonte dënimin e përjetshëm. Vitin e kaluar u gjetën prova që tregonin se dy vëllezërit ishin abuzuar seksualisht nga babai i tyre.
Vendimi do të merret nga Gjykata e Lartë, por tashmë fjalët e prokurorit janë lapidare: “Mendoj se shpesh për arsye kulturore nuk besojmë te viktimat e dhunës seksuale, qofshin gra apo burra”.
Më 20 gusht 1989, José dhe Mary Louise “Kitty” Menéndez, ai 45 vjeç, ajo 48, u vranë në vilën e tyre në Beverly Hills teksa shikonin televizor. Ai u godit nga gjashtë të shtëna pushke në një distancë të afërt, ajo nga dhjetë. Djemtë e tyre, 18 dhe 21 vjeç i thanë policisë se prindërit e tyre ishin vrarë teksa ata ndodheshin shkuar në kinema. Policia, për shkak të brutalitetit të ekzekutimit, mendoi se ishte punë e mafies, por në muajt në vijim djemtë, Lyle dhe Erik, filluan të bënin një jetë luksi, me ora Rolex, makina Porsche dhe udhëtime në Karaibe. Të afërmit filluan të dyshonin: kur u futën në qoshe, të dy rrëfyen krimin, duke folur për hakmarrje pas vitesh abuzimi.
Në vitin 1993, gjyqi i parë përfundoi në ngërç, sepse anëtarët e jurisë nuk kishin arritur unanimitet. Një i dytë çoi në një dënim të përjetshëm pasi gjykatësi nuk e lejoi mbrojtjen të paraqiste akuza për abuzim seksual. Lyle tani është 56 vjeç, Erik është 54. Të dy janë në një burg në Kaliforninë Jugore.
Historia e tyre doli sërish në dritë me serialin e Netflix, i cili nisi nga pyetja: “Cilët janë përbindëshat e vërtetë?”. Eriku kishte akuzuar produksionin se kishte gënjyer dhe shfaqur skena morbide të një marrëdhënieje incesti, në dush, mes tij dhe vëllait. Por pikërisht dokumentari ndihmoi që historia të mos binte në harresë. Sipas prokurorit të rrethit, dy vëllezërit «treguan se ishin bërë njerëz të ndryshëm. Tridhjetë e pesë vjet burg mund të konsiderohet një dënim i mjaftueshëm”. / bota.al