FilozofiMagazine

Vrite lopën! Një rrëfim nga filozofia Zen

Rutina shpesh na bllokon dhe na kufizon. Por është aq komode dhe e sigurt sa mësohemi aq shpejt dhe harrojmë. Megjithatë, rrëfimi Zen i lopës është një nga ato anekdota që funksionon si një këmbanë. Një zgjim për atë që nuk mund ta shohim në jetën tonë të përditshme, por që na prek më shumë sesa mendojmë.

Falë kësaj historie Zen, zbulojmë simbolikën e vërtetë të lopës, çfarë do të marrim prej saj dhe shkallën e varësisë që mund të zhvillojmë ndaj gjithçkaje. Por, mbi të gjitha, do të na ndihmojë të zbulojmë se cila është lopa e jetës sonë.

Rrëfimi Zen i lopës tregon për një Mësues të mençur që po ecte nëpër fusha me dishepullin e tij. Një ditë, të dy u gjendën përballë një shtëpie prej druri ku banonte nga një çift me tre fëmijët e tyre. Ata ishin të gjithë në gjendje të keqe, me rroba të grisura dhe të pista. Këmbët e zbathura, mjedisi përreth tyre tmerrësisht i varfër.

Mësuesi e pyeti kryefamiljarin se si ia dilnin të mbijetonin, duke qenë se aty pranë nuk kishte asnjë industri apo tregti, si dhe nuk shihej asnjë pasuri rretherrotull.

Me shumë qetësi, babai iu përgjigj: “Shiko, ne kemi një lopë që na jep disa litra qumësht në ditë. Një pjesë e shesim dhe me ato para blejmë gjëra të tjera, ndërsa pjesën tjetër e konsumojmë. Kështu që ne mund të mbijetojmë”.

Mësuesi e falenderoi për informacionin, tha mirupafshim dhe u largua. Teksa ikte, i tha dishepullit: “Kërko lopën, çoje buzë greminës dhe shtyje”. I riu u habit, lopa ishte mjeti i vetëm ku mbështetej ajo familje e varfër.

Por ai mendoi se Mësuesi kishte arsyet për t’i kërkuar një veprim të tillë dhe, me përpjekje të mëdha, e çoi lopën drejt greminës dhe e shtyu poshtë. Ajo skenë e tmerrshme mbeti e ngulitur në mendjen e tij për shumë vite. Shumë kohë më vonë, dishepulli, duke u ndjerë fajtor për atë që kishte bërë, vendosi të linte Mësuesin, për t’u kthyer në atë vend dhe për t’i kërkuar falje familjes, së cilës i kishte shkaktuar dëme të mëdha. Kur u afrua, vuri re se gjithçka kishte ndryshuar.

Një shtëpi e bukur me pemë përreth, shumë fëmijë që luanin dhe një makinë e parkuar jashtë. I riu u ndje edhe më i trishtuar dhe i dëshpëruar, duke menduar se ajo familje e gjorë kishte shitur gjithçka për të mbijetuar. Kur pyeti për ta, i thanë se ishin gjithmonë aty, se nuk ishin larguar. Ai vrapoi në shtëpi dhe kuptoi se ajo ishte me të vërtetë e banuar nga e njëjta familje, si dikur.

Ai e pyeti kryefamiljarin se çfarë kishte ndodhur dhe ky i fundit, me një buzëqeshje të madhe u përgjigj: “Ne kishim një lopë që na jepte qumësht dhe me të cilën përballonim jetesën. Por një ditë lopa ra nga shkëmbi dhe ngordhi. Që nga ai moment, e gjetëm veten të detyruar të bënim gjëra të tjera, të zhvillonim aftësi të tjera që nuk e kishim imagjinuar kurrë se i kishim. Pra, filluam të ishim të suksesshëm dhe jeta jonë ndryshoi.”

Lehtësia për të bërë “gjithmonë të njëjtën”

Ndoshta, ashtu si dishepulli, edhe ju u tmerruat nga vendimi i Mësuesit për ta hedhur lopën nga shkëmbi. Megjithatë, kjo histori është një metaforë se si të veprojmë me atë që na bën të ndihemi rehat, por, në të njëjtën kohë, na kufizon.

Kur ajo familje e varfër mbeti pa ushqimin me të cilin mbijetonin, nuk u mbetej gjë tjetër veçse të kërkonin alternativa. Në vend që të përballeshin me më shumë varfëri, familjarët gjetën një mënyrë për të përparuar, diçka që nuk e imagjinonin kurrë. Nëse lopa nuk do të ishte zhdukur kurrë nga jeta e tyre, ata do të kishin vazhduar të jetonin në varfëri, pa dalë prej saj, pa besuar se mund të shkonin më tej.

Shumë njerëz janë mirënjohës për ato momente të jetës që, megjithëse të dhimbshme dhe të vështira, i kanë detyruar të largohen nga ajo zonë e sigurt në të cilën ishin vendosur dhe kishin mbetur të mbërthyer. Si qenie njerëzore, ne kërkojmë siguri, rehati, atë që nuk na bën të jetojmë në pasiguri. Por, kur e gjithë kjo shembet, zbulojmë aftësi dhe cilësi që nuk do t’i kishim imagjinuar kurrë, që kishin mbetur të fjetura brenda nesh.

Rrëfimi mbi lopën është i jashtëzakonshëm, sepse na lejon të reflektojmë mbi mënyrën se si jetojmë. Sidomos nëse ankohemi për jetën tonë. Nuk është e nevojshme të presim që të vijë një Mësues për ta hedhur nga shkëmbi atë lopë që na kufizon kaq shumë. Sot, ne mund të shohim përtej rehatisë sonë për t’u ndërgjegjësuar për potencialin që kemi. Sepse ne nuk kemi kufij. Ne vetë i krijojmë vetes pengesa. / bota.al
Back to top button