Teknologji

Arsyeja e vërtetë përse Facebooku po ju detyron të shkarkoni Messenger-in

Mark Zuckerberg Attends Mobile World CongressPak më shumë se një vit më parë, Facebooku nxorri Facebook Home, një program që synonte të “pushtonte” tërësisht disa lloje smartphone-sh. Ishte një dështim i madh, por mesazhi qe i qartë: Facebooku ishte nisur në një mision për të dominuar kohën që ti kalon me telefonin tënd.
Lëvizja e fundit e shumëdiskutuar e kompanisë për të detyruar përdoruesit e iPhone dhe Android, që duan të vazhdojnë të bëjnë chat me miqtë e tyre, që të shkarkojnë Facebook Messenger, aplikacioni 3-vjeçar i mesazherisë së Facebook, është një provë se vazhdon të kërkojë t’ju rrëmbejë kohën. Dhe nëse nuk jua merr dot të gjithë telefonin, ai do ju bombardojë me aplikacione të ndryshëm, deri kur efekti të jetë pak a shumë i njëjtë.
Facebooku thotë se po i detyron njerëzit të zgjedhin Messengerin për arsye se aplikacioni është më i shpejtë dhe ka më shumë funksione. Por arsyeja e vërtetë është se kompania dëshiron të mbrohet duke diversifikuar ato që ofron. Thënë thjeshtë, Facebooku nuk dëshiron të përfundojë si një tjetër MySpace, që u braktis menjëherë për modën e radhës. “Imagjinoni një të ardhme ku NewsFeed-i i Facebookut bëhet më pak i rëndësishëm për njerëzit”, thotë Nate Elliott, zëvendës president dhe analist tek Forrester, një kompani kërkimesh. “Ata nuk duan që njerëzit të pushojnë së përdoruri Messengerin, për arsye se do të pushojnë së përdoruri NewsFeed-in. Dhe ky është risku nëse i mbajnë të bashkuar”.
Eshtë një strategji që Mark Zuckerbergu, themeluesi dhe drejtuesi i kompanisë e ka lënë të kuptohet në muajt e fundit. Në fillim të vitit, kompania lajmëroi krijimin e Creative Labs, një njësi që i dedikohet krijimit të aplikacioneve të rinj, të cilët “mbështesin mënyrat e ndryshme si njerëzit duan të lidhen dhe të ndajnë informacione”. “Me Creative Lab, ne po e ndajmë aplikacionin e madh ngjyrë blu”, tha Zuckerberg. “Mendoj se në celular, njerëzit duan gjëra të ndryshme”, tha ai.
Ndarja më vete e Messengerit është pjesë e një serie lëvizjesh që Facebooku ka bërë prej vitesh. Në 2012-ën, kompania shpenzoi 1 miliardë dollarë për të blerë Instagramin. U duk si një shifër shumë e madhe, deri në shkurt të këtij viti, kur Facebooku bleu WhatsAppin për 19 miliardë. Që atëherë, kompania ka blerë Moves, një aplikacion për fitness dhe Oculus VR, një kompani që merret me teknologjinë e realitetit virtual.

Pergatiti: BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button