Psikologji

Gjërat që i mësova vajzës sime…

E dashur bija ime, kur shokët e tu të fillores të të pyesin se pse mamaja nuk të futi në kurs anglishteje, rusishteje, apo arabishteje, se pse nuk të mësoi instrumenta muzikore, se pse nuk të regjistroi në kurs kuzhine, thuaji se mamaja jote mendoi që ti të gjeje kohën të luaje dhe të argëtoheshe në atë moshë. Do të kishe kohë për t’u mërzitur më vonë, por fëmijërinë tënde mamaja jote donte që ta shijoje në maksimum. Mamaja jote nuk të ka detyruar të mësosh të recitosh “Komedinë hyjnore” që tri vjeçe, sepse në atë moshë donte që ti të zhvilloje imagjinatën tënde, jo të bëheshe rob i diçkaje që dikush tjetër kishte shkruar.

Nëse sot fëmijët e tjerë qëndrojnë striktë të librave duke mos paraqitur asnjë mendim të tyre, unë doja që ti të bëje të kundërtën. Nuk të kam detyruar asnjëherë të bëje diçka që nuk të pëlqente, pasi e dija që ajo do të bënte të mërziteshe dhe të filloje të urreje edhe gjërat që të pëlqenin. Doja të të lija të lirë të zhvilloje mendimin tënd kritik për gjithë situatat që po përjetoje dhe mendoj se ia kam dalë.

Shpresoj shumë që në një të nesërme të mos më kritikosh se pse në moshën gjashtë vjeçare nuk të kam mësuar tri gjuhë të huaja, se pse nuk të futa në kurs për të mësuar një instrument muzikor, por shpresoj të më falenderosh për dëshirën që kisha që ti të mësoje vlerën e vetmisë, lirisë dhe mërzitjes. Unë jam munduar që ti të kuptosh se sa shumë gjëra mund të mësosh e vetme, edhe pse mendon se nuk mund t’ia dalësh dot mbanë e vetme. Unë të mësova vlerën e lirisë që nëse të nesërmen nuk do të më kesh mua pranë, nuk do të provosh të jesh e lirë në mënyrë të shfrenuar, duke kaluar edhe në veprime me pasoja të rënda, sepse ti tashmë ke qenë e lirë dhe ke zhvilluar idetë e tua mbi gjërat e duhura për t’u bërë dhe ato jo të duhura për t’u bërë.

Shpresoj që mësimet dhe dëshirat e mia t’i kuptosh një ditë dhe të mos më gjykosh, pasi përherë kam menduar për më të mirën tënde. Por edhe nëse do të më gjykosh sepse mund të mendosh se kam bërë zgjedhje të gabuara, unë sërish nuk do të mbaj mëri. Një ditë, kur ti të bëhesh edhe vetë me fëmijë, do të kuptosh se zgjedhjet e mia kanë qenë të duhurat dhe të njëjtat ke për të zbatuar edhe ti me fëmijët e tu.

Leave a Reply

Back to top button