Teknologji

iPhone 6 Plus përballë Galaxy Note 4. Kush është fituesi?

fituesiKatër vjet më parë, Samsung e kishte “trazuar” tregun mobil me modelin e parë të fabletit Galaxy Note, kombinimin e parë të telefonit me tablet, dhe duke ia dhënë emrin e parë këtij lloji të pajisjes mobile. Këtë vjeshtë, Apple iu bashkua industrisë me iPhone 6 Plus, ndërsa Samsung doli me gjeneratën e katërt të Galaxy Note 4. Të dyja pajisjet e rivalëve më të mëdhenj të industrisë janë pretendentët të forte për titullin e më të mirit në mesin e fabletëve, edhe pse ndryshojnë në pjesë të ndryshme, ku ata shkëlqejnë.
Në sipërfaqe, ata duken shumë të ngjashëm, me madhësi gati identike të ekranit. iPhone 6 Plus është pak më i hollë dhe pak më i lehtë, por Note 4 ka një ekran më të madh (5,7 inç kundrejt 5,5 inç). Por dallimet mes tyre bëhen më të qarta në detaje dhe operacionet e tyre. Megjithatë, rezultatet në një vlerësim serioz të bërë nga Network World ia japin fitoren fabletit të Apple, iPhone 6 Plus, pasi vlerësohet se fableti i Apple është një telefon i mençur i biznesit, ku iOS 8,1 ka një avantazh vendimtar në drejtim të aplikacioneve dhe të sigurisë ndaj Note 4 që bazohet në Android Kitkat 4.4.
Si një telefon i mençur për biznes, vlerësimi thotë se nuk ka dyshim që iPhone 6 Plus është pajisja më e mirë. Ndërsa, tipar më i mirë në iPhone 6 Plus vlerësohet edhe ai që mundëson përdorimin e fabletit me një dorë, përkundër madhësisë së tij (dihet se me shtypje të dyfishtë të butonit kryesor, ekrani zvogëlohet dhe mundësohet puna në të, vetëm me një dorë). Më tej, fableti i Apple vlerësohet më shumë për mundësinë e rrotullimit të ekranit, dhe funksionimit si një tablet, mundësi që Note 4 nuk e ka, edhe pse fableti i Samsung ofron një funksion të ngjashëm vetëm për emailat, kalendarin dhe mesazhet.
Kur iPhone 6 rrotullohet dhe përdoret tastiera, fableti ofron më shumë opsione edhe sesa iPad, pasi që aty shihen butonat për copy, paste, cut dhe të tjerat. Mirëpo kur vjen puna te ekrani dhe aplikacionet multimediale, gjërat janë më të barabarta për të dyja modelet. Një arsye e madhe pse njerëzve u pëlqen ekrani më i madh i pajisjes së tyre mobile është për të parë video dhe për të luajtur lojra. Dhe në këtë pikë, edhe iPhone 6 Plus dhe Note 4 ofrojnë mundësi të mëdha, edhe pse ju do të gjeni më shumë lojra në iOS App Store sesa në Google Play. Të dy pajisjet kanë ekuilibër të mirë të ngjyrave për video dhe lojëra, dhe të dyja ofrojnë një ekran të madh që mundëson lojëra dhe video edhe në ekran të gjerë.
Përsëri, vlerësimi nuk merr fund. Sepse ka një dallim të madh mes Note 4 dhe iPhone 6 Plus: Note 4 përdor shkruesin digjital. Lapsi digjital që vjen me Note 4 është një pajisje e sofistikuar që mundëson interaktivitet të plotë me ekranin, dhe ka kontrolle për të aktivizuar më shumë funksione, që nga menytë kontekstuale për vizatim, dhe jo vetëm kaq. Siç dihet, edhe iPhone 6 Plus dhe Note 4 e ofrojnë lexuesin e gjurmëve për gishta për ta zhbllokuar pajisjen. Ai i iPhone 6 Plus është shumë më i mirë, sepse punon më lehtë dhe është më i besueshëm, përveç që edhe mund të përdoret jo vetëm për ta shkyçur telefonin, por edhe për të autorizuar blerjet në iTunes dhe për të bërë pagesa në NFC përmes Apple Pay, shkruan Telegrafi.
Bateria e iPhone 6 Plus zgjat më shumë sesa ajo e Note 4. Nëse Note 4 është joaktiv bateria e saj do të shpenzohet në disa ditë, ndërsa ajo e iPhone 6 Plus merr rreth një javë. Kur pajisja është në përdorim, bateria e iPhone 6 Plus zgjat rreth 30 për qind më gjatë sesa ajo e Note 4. Përfundimisht mund të thuhet se Apple e ka bërë një punë të shkëlqyeshme në fabletin e saj të parë. iPhone 6 Plus është më i mirë se Note 4 në shumë aspekte. Por Note 4 është më i mirë në disa aspekte tjera, kështu që zgjedhja mund të varet më shumë nga fakti nëse ju preferoni të përdorni platformën mobile iOS apo ekosistemin Android.

Leave a Reply

Back to top button