Analiza

KOMENT / Lufta e Ftohtë? Gjeopolitika sot është shumë më interesante

geopoliticsThomas L. Friedman *

Me Rusinë që hungërin për shkak të rrëzimit të aleatit të saj që udhëhiqte Ukrainën, dhe që nga ana tjetër vazhdon të mbrojë aleatin vrasës që udhëheq Sirinë, ka shumë zëra që thonë se po rikthehemi në Luftën e Ftohtë – dhe se ekipi i Obamës nuk po mundet të mbrojë interesat tanë, apo të miqve tanë. Nuk mendoj se është rikthyer Lufta e Ftohtë.Në fakt, gjeopolitika e sotme është shumë më interesante. Dhe gjithashtu, nuk mendoj se maturia e Obamës është e gabuar.

Lufta e Ftohtë ishte një ngjarje unike që vinte përballë dy ideologji globale, dy superfuqi globale, secila me arsenalë bërthamorë që shtriheshin në të gjithë globin dhe aleanca të gjera prapa vetes. Në të vërtetë, bota ishte e ndarë në një tabelë shahu me kuti të zeza e të kuqe, dhe, për sigurinë, mirëqenien dhe pushtetin e secilës superfuqi, kishte shumë rëndësi se kush kontrollonte secilën prej kutive. Ishte një lojë me shumë zero, në të cilën cdo fitore për Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij, ishte një humbje për Perëndimin dhe NATO-n, dhe e anasjellta.

Ajo lojë ka mbaruar. Ne fituam. Ajo që kemi sot është një kombinim i një loje më të vjetër dhe një loje më të re. Ndarja më e madhe gjeopolitike në botë sot është “mes atyre vendeve që duan që shtetet e tyre të jenë të fuqishëm, dhe atyre vendeve që duan që popujt e tyre të përparojnë”, argumenton Michael Mandelbau m, profesor i politikës së jashtme në “John Hopkins”.

Në kategorinë e parë janë vende si Rusia, Irani dhe Korea e Veriut, udhëheqësit e të cilëve janë të përqëndruar në ndërtimin e autoritetit, dinjitetit dhe influencës së tyre, përmes shteteve të fuqishëm. Dhe për arsye se dy të parët kanë naftë dhe i fundit ka armë bërthamore që mund t’i shkëmbejë me ushqime, udhëheqësit e tyre mund ta sfidojnë sistemin global dhe të mbijetojnë, në mos të lulëzojnë – gjithë duke luajtur një lojë të vjetër, tradicionale, të politikës së fuqive, për të dominuar rajonet e tyre respektivë.

Kategoria e dytë, vende të fokusuar në ndërtimin e dinjitetit dhe influencës së tyre përmes popujve që përparojnë, përfshijnë shtetet e NAFTA-s, Bashkimit Europian dhe bllokun tregtar MERCOSUR në Amerikën latine dhe Azi. Këta vende e kuptojnë që tendenca më e madhe në botë sot nuk është një tjetër Luftë e Ftohtë, por shkrirja e globalizimit dhe revolucionit të teknologjisë së informacionit. Ata janë fokusuar në ndërtimin e shkollave, infrastrukturës, internetit, regjimeve tregtarë, hapjes ndaj investimeve dhe menaxhimit ekonomik, me qëllim që popujt e tyre të përparojnë gjithnjë e më shumë, në një botë ku cdo vend pune për klasën e mesme do të kërkojë më shumë aftësi, dhe zotësia për inovacion do të jetë përcaktuese edhe për standartin e tyre të jetesës.

Por tani po shfaqet edhe një kategori e tretë vendesh, që nuk mund të projektojnë fuqinë e trye apo të ndërtojnë prosperitetin. Ata përbëjnë botën e “crregullimit”. Fuqia dhe prosperiteti i tyre humbet, për arsye se ata konsumohen në luftëra të brendshme për pyetje si: Kush jemi? Cilët janë kufijtë tanë? E kujt është pema e ullirit? Këta shtete përfshijnë Sirinë, Libinë, Irakun, Sudanin, Somalinë, Kongon dhe pika të tjera të nxehta. Ndërkohë që ata shtete që janë të fokusuar në fuqinë e shtetit luajnë rol në disa prej këtyre vendeve – Rusia dhe Irani luajnë në Siri – shtetet që janë më të fokusuar në prosperitetin po përpiqen që të shmangin përfshirjen e tepruar në botën e “crregullimit”. Ndonëse të gatshëm të ndihmojnë për zbutjen e tragjedive humanitare, ata e dinë se kur “fiton” një prej këtyre vendeve në lojën e sotme gjeopolitike, gjithë sa fiton është një faturë për t’u paguar. Ukraina, në fakt, mund të përfshihet në të tre këto tendenca. Revolucioni atje ndodhi sepse qeveria u nxit nga Rusia, e cila dëshiron ta mbajë Ukrainën në sferën e saj të influencës, që të tërhiqej nga një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian – një marrëveshje kjo që mbështetej nga shumë ukrainas, të cilët duan që të ndërtojnë prosperitet për popullin. Dhe kjo lloj ndarje ka nxitur zërat për separatizëm nga pjesa lindore e Ukrainës, rusisht-folëse dhe e orientuar nga Rusia.

Atëherë, cfarë duhet të bëjmë? Bota po mëson se steka e ndërhyrjes amerikane jashtë po vendoset shumë më lart. Kjo vjen për shkak të një konvergjence mes fundit të rrezikut ekzistencial që paraqiste Bashkimi Sovjetik, përvojës së investimit të shumë jetëve njerëzore dhe 2 trilionë dollarëve në Irak dhe Afganistan (dhe me impakt të vogël), rritjes së varësisë energjetike të Amerikës, suksesit të shërbimeve tanë të inteligjencës për të parandaluar një tjetër 11 Shtator, dhe vetëdijësimit që, ndreqja problemet e vendeve që i përkasin botës së “crregullimit” shkon përtej aftësive, burimeve dhe durimit tonë.

Gjatë Luftës së Ftohtë, politikëbërja ishte e drejtpërdrejtë. Kishim strategjinë e “frenimit”. Ajo na thoshte cfarë të bënim, dhe pothuajse me cfarëdolloj cmimi. Sot, kritikët e Obamës thonë se ai duhet të bëjë “dicka” për Sirinë. E kuptoj. Kaosi atje, mund të vijë e të na kafshojë edhe ne. Nëse ka një politikë që do të ndreqte problemin e Sirisë, apo edhe thjeshtë ndalte vrasjet atje, me një kosto që ne do ta toleronim dhe që nuk do na largonte vëmendjen nga gjërat që duhet të bëjmë për të siguruar të ardhmen tonë, atëherë unë jam pro saj.

Por, ne duhej t’i kishim nxjerrë disa mësime nga përvoja jonë e fundit në Lindjen e Mesme. Së pari, se sa pak kuptojmë ne nga kompleksitetet socialë dhe politikë në ata vende. Së dyti, se ne, me një kosto të madhe, mund të ndalojmë që të ndodhin gjëra të këqia në këta vende, por nuk mundemi, të vetëm, që të bëjmë të ndodhin gjëra të mira. Dhe së treti, se kur përpiqemi të bëjmë që të ndodhin gjëra të mira, riskojmë të marrim përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve të tyre, një përgjegjësi që në të vërtetë u përket vetëm atyre.

International new york times

Leave a Reply

Back to top button