Psikologji

Nëse të interesoj, ma trego vazhdimisht. Jo një ditë po, dhe ditën tjetër jo…

Që të ekzistojë dashuria e vërtetë, duhet që kjo ndjesi të jetë reciproke, pra të jepet dhe të merret me pothuajse të njëjtin intensitet. Shpesh, të përfshirë nga rutina e përditshme, ne e harrojmë këtë rregull të pashkruar dhe i kushtojmë rëndësi gjërave të panevojshme dhe personave që ndoshta nuk na sjellin asgjë në jetën tonë. Duhet t’i shmangemi situatave dhe njerëzve të tillë, sepse duke u endur pas tyre, kemi shumë mundësi të humbasim ata që vërtetë kanë vlerë në jetën tonë. Kësaj i thonë, siç edhe e shpreh ajo klisheja popullore, të kënaqesh me gurët e të humbasësh diamantët.

Ndaj, qëllimi i këtij materiali është të të bëjë të kuptosh se njerëzit që kanë vlerë dhe i japin vlerë jetës tënde, kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Mos u kujto për ta pas shumë kohësh, duke menduar se ajo pak kohë e kaluar me ta është e mjaftueshme. Nuk është. Koha ashtu siç i forcon marrëdhëniet, ashtu edhe i zbeh ato, ndaj largimi yt i vazhdueshëm, mund të të kthehet mbrapsht si një bumerang dhe të të godasë vetë ty, duke të të bërë t’i humbasësh ata persona një herë e përgjithmonë.

Dije se ti nuk je i pazëvendësueshëm dhe nuk ka gjë më të keqe se të dhurosh dashuri dhe mbrapsht të marrësh mungesë vëmendjeje dhe injorim. Përpiqu ta ndryshosh këtë situatë. Sapo të gjesh pak kohë brenda ditës tënde, shko të takosh dikë që ka bërë shumë për ty. Nëse nuk e ke mundësinë, të paktën telefonoje dhe pyete se si është. Është gjëja më e vogël që mund të bësh për dikë që të do dhe ka qenë aty në çdo hap që ti ke hedhur.

Mendoje pak për veten tënde. Si do të ndiheshe ti, sikur të bëje gjithçka që dikush të ecte përpara, të qëndroje për një kohë të gjatë pranë tij/saj dhe kur ai/ajo të kishte një rutinë paksa të zënë, të mos kujtohej aspak për ty? Nuk do të ndiheshe keq? Nuk do të ndiheshe sikur ai person është mosmirënjohës dhe nuk e meriton më respektin dhe mbështetjen tënde? Ti do të largoheshe dhe do të kërkoje të kishe pranë dikë që do të të vlerësonte vërtet dhe nuk do të harronte, kur t’ia dilte mbanë në jetë. Kështu ndodh edhe me ata që të duan dhe të kanë mbështetur ty. Edhe ata janë njerëz dhe kanë nevojë që vëmendja dhe përkushtimi që të kushtojnë ty, t’u kthehet mbrapsht. Por jo në një ditë po, dhe në një muaj në vazhdim jo. Ata kanë nevojë vazhdimisht që dashuria e tyre t’u kthehet mbrapsht dhe është detyra jote ta bësh të mundur diçka të tillë…

Leave a Reply

Back to top button