EtikNet

Pse njerëzit e zgjuar, kanë më shumë gjasa t’u besojnë lajmeve të rreme

Nga David Robson

A keni dëgjuar për çiftin që vendosi ta quajë vajzën e tyre Brexit? Apo faktin që rajonet britanike që votuan në shumicë pro largimit nga BE, janë njëherazi zonat më të goditura nga sëmundja e lopës së çmendur? Por, për studimin se rrezatimi i smartfonëve, po shkakton dëme të mëdha në tru, dhe çrregullime mendore?

Të gjitha këto pretendime, janë të rreme. Ju mund të mendoni, se duhet të jesh i trashë t’i besosh këtyre lloj lajmeve, por ky është një keqkuptim serioz i mënyrës së funksionimit të trurit. Studimet psikologjike, tregojnë se dezinformata është e dizenjuar me mjeshtëri, për të anashkaluar një arsyetim analitik të kujdesshëm, ç`ka do të thotë se ai mund të kalojë lehtësisht nën radarin e njerëzve më inteligjentë dhe më të edukuar.

Askush nuk është krejtësisht imun ndaj kësaj dukurie. Në fakt, tashmë ka prova se edhe njerëzit më të zgjuar, mund të jenë edhe më të prekshëm ndaj ideve të caktuara, pasi fuqia më e madhe e trurit të tyre, vetëm sa u lejon të racionalizojnë besimet e tyre (të pasakta). Fatmirësisht, ky studim na ofron gjithashtu disa strategji, për t’i kapërcyer ato paragjykime.

Le t’ia fillojmë duke shqyrtuar pse “ngjisin” tek shumë njerëz disa lajme të rreme. Studime të ndryshme, kanë treguar se shumë prej nesh i kushtojnë rrallëherë një vëmendje të plotë lajmeve dhe deklaratave të reja. Për shembull, konsideroni pyetjen e mëposhtme: ”Sa kafshë mori në arkë Moisiu?”. Norbert Shvarc nga Universiteti i Kalifornisë Jugore, ka gjetur se vetëm rreth 12 % e nxënësve përgjigjen saktë (asnjë). (Ishte arka e Noes, dhe jo e Moisiut).

Veçanërisht kur një deklaratë duket “e rrjedhshme” (e lehtë për t’u përpunuar) dhe e njohur, ne tentojmë të mos përqendrohemi tek detajet, dhe në vend të kësaj shkojmë direkt tek thelbi. Mjerisht, ka shumë mënyra të thjeshta që prodhuesit e dezinformatave, mund të marketojnë si duhet prezantimin e pretendimeve të tyre të rreme.

Një shembull është përdorimi i imazheve. Fotografitë na ndihmojnë të përfytyrojmë deklaratat, ç`ka do të thotë se ato mund të përpunohen rrjedhshëm – dhe për këtë arsye duket më e vërtetë.

Ne mund ta shohim këtë me historitw mjekësore: njerëzit, kanë më shumë gjasa të besojnë një pretendim pseudoshkencor, nëse ka një skanim të trurit bashkë me të.

Ndoshta mënyra më e fuqishme për përhapjen e keqinformimit, është thjesht përsëritja; sa më shumë që e dëgjon një ide, aq më shumë ka gjasa që ta besoni se ajo është e vërtetë. Ky është një problem serioz kur një komunitet i vogël, por i zëshëm – le të themi mohuesit e ndryshimeve klimatike – paraqiten si figurat kryesore të opinionit publik në TV dhe radio.

Në këto mënyra, ne mund të fillojmë të shohim, se si mund të nisë keqinformimi për të anashkaluar mendimin logjik dhe pyetjet kritike. Por, informacioni dhe arsimimi, a na mbrojnë nga lajmet e rreme? Studimi më i fundit, tregon se kjo pjesërisht varet nga stili juaj i të menduarit.

Disa njerëz janë “njohës të dobët”. Për shembull: ata mund të kenë shumë fuqi celebrale, që u lejon të dalin mirë në provime, por jo gjithmonë e vënë atë në zbatim në jetën e përditshme, duke përdorur rëndom intuitën dhe instinktin e momentit, mw shumw se sa reflektimin dhe të menduarit analitik.

Ky stil i të menduarit, matet zakonisht me një mjet të njohur si “testi i reflektimit njohës”. Studimet në Shtetet e Bashkuara, kanë zbuluar se njerëzit që kanë rezultate të këqija në këto lloj testi, kanë prirjen që të jenë më të ndjeshëm ndaj lajmit të rremë, teorive të komplotit dhe të menduarit paranormal.

Në të kundërt, ata që kanë rezultate më të mira, tentojnë të jenë më pak besues, pasi e përdorin inteligjencën e tyre për të analizuar pretendimet që dëgjojnë, se sa të mbështeten në ndjenjat e tyre instiktive. Jo të gjitha lajmet e rreme, krijohen në mënyrë identike.

Disa tregime mund të jenë paksa qesharake, siç është familja që e quajti vajzën e saj Brexit, dhe pavarësisht nga niveli juaj, nuk keni nevojë ta besoni atë për të mbështetur botëkuptimin tuaj. Por, histori të tjera mund t’i përshtaten identitetit tuaj politik. Dhe për këto pretendime veçanërisht emocionale, inteligjenca dhe edukimi mund t’ju bëjnë më shumë të ndjeshëm ndaj lajmit të rremë, përmes një procesi të quajtur “arsyetim i motivuar”.

Për shembull, kini parasysh teorinë që Barak Obama nuk ka lindur në SHBA. Kjo është hedhur poshtë herë pas here, por ngjiti në ideologjinë politike të shumë njerëzve. Dhe zgjuarësia e shumë prej tyre, nuk i pengoi të besonin këtë histori. Madje në fakt ajo ia shtoi besueshmërinë e tyre.

Qëllimi i tyre, ishte gjetja e një mënyre për të mbrojtur njerëzit nga dezinformata e zakonshme rreth ndryshimeve klimatike, duke përfshirë peticione të rreme që tregojnë mosmarrëveshje të gjera midis shkencëtarëve për shkaqet e vërteta të ngrohjes globale.

Duke pasur parasysh dominimin e qartë të dezinformimit rreth nesh, unë besoj se mënyrat e identifikimit të dezinformatave, të kombinuara me të menduarit kritik, tani duhet të mësohen në çdo shkollë. Në fund të fundit, nuk është vetëm lajmi i rremë politik që duhet të shmangim, por mashtrimet e shëndetit dhe ato financiare.

“The Guardian” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button